AKEP – KESHILLI DREJTUES

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Roli, funksionet dhe kompetencat institucionale si organ rregullator i fushës së komunikimeve elektronike dhe shërbimit postar përcaktohen në legjislacionin material për komunikimet elektronike dhe shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë.

AKEP është person juridik, publik, jobuxhetor, i cili drejtohet nga Këshilli Drejtues që është i pavarur në marrjen e vendimeve dhe funksionon në bazë të rregullores së brendshme, të miratuar nga ai vetë. Këshilli Drejtues përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave.

TOMI FRASHËRI 

KRYETAR :    Lindur në Tiranë më 1983. Ka kryer studimet e mesme me rezultatet më të larta në Shkollën e Gjuhëve të Huaja Asim Vokshi në Tiranë (1997-2001). Në vitet 2002-2006 zhvilloi kursin e plotë universitar në drejtësi në Universitetin e Paris II Panthéon-Assas. Masterin e shkencave (Master 2) në të Drejtë publike të thelluar e mbrojti me punimin « E Drejta administrative e provës dhe teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit » . Ishte major i vitit universitar 2007 në Fakultetin e Drejtësisë së Parisit.

Në vitet 2007-2010 punoi si kërkues shkencor në Institutin Cujas të Universitetit Paris II Panthéon-Assas, ndërsa prej 2010-2014 si chargé de mission pranë Ombudsmanit francez (Défenseur des droits) në sektorët e pranueshmërisë së ankimimeve, aksesit në të drejtat proçesuale dhe çështjeve të përgjithshme gjyqësore. Gjatë këtyre viteve u përfshi në hartimin e reformave të kodit rrugor dhe trajtimit ligjor të emigrantëve.

Më 2014 u ftua të punonte në kabinetin e Kryeministrit të Shqipërisë si këshilltar për koordinimin diplomatik dhe protokollar, duke organizuar dhe realizuar evente publike, samite shumëpalëshe apo vizita të rëndësisë së vecantë shtetërore të nivelit të lartë brenda dhe jashtë vendit, si dhe duke hartuar dhe mbikqyrur reformën e Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë dhe atë të nderimeve publike të Kryeministrit. Më 2017-2018 kryesoi sekretariatin teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili u shenjua nga tre ekspozita madhore (« Tri ditët e Yllit të Mëngjesit »; « Urtësi e pashuar » dhe « Harta e rigjetur e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ») si dhe nga Konferenca e madhe ndërkombëtare albanologjike kushtuar Heroit Kombëtar (maj-nëntor 2018).

Në dhjetor 2019 u zgjodh Kryetar i Këshillit Drejtues të AKEP nga Kuvendi i Shqipërisë.

Autor i një sërë publikimesh në fushat e së drejtës dhe historisë, Tomi Frashëri është laureat në shkenca ekonomike dhe sociologjike i Akademisë së Shkencave morale dhe politike të Francës dhe i Fondacionit Charles de Gaulle në të drejtë kushtetuese. Ai është gjithashtu edhe anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të të Rinjve në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues në forumet e saj (Komisioni i shkencave juridike, sociale, ekonomike).

Flet rrjedhshëm gjuhët franceze, angleze dhe italiane.

 

EDLIRA DVORANI – ANËTAR:   Znj Edlira Dvorani është eksperte e fushës ekonomike dhe financiare, e diplomuar Ekonomiste ne Universitetin e Tiranës në vitin 1992, me një karrierë të gjatë në fushën e tregjeve financiare dhe posaçërisht në atë të ekspertes së fushës së sigurimeve dhe të drejtimit në shoqërive të sigurimit.Bazuar në kualifikimet përkatëse bashkëkohore të fituara në vite pranë kompanive më të njohura botërore,  ka dhënë kontributin e saj te spikatur në strukturat teknike dhe drejtuese të shoqërive të sigurimit ku ka punuar, veçanërisht në INSIG sha, në drejtim të krijimit dhe administrimit të produkteve të sigurimit dhe të menaxhimit të shoqërisë.

Duke ushtruar së fundmi edhe detyrën e Drejtores së Përgjithshme, në periudhën 2014-2016, ka administruar dhe realizuar me sukses edhe procesin kompleks të privatizimit të INSIG sha.Përpara zgjedhjes në detyrën e Anëtarit të Këshillit Drejtues të AKEP, znj Dvorani ka qenë në funksionin e  Këshilltares për analizën dhe studimin e tregjeve si edhe menaxhimin e rreziqeve të sigurimit pranë Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë ANSIG SHA.

 

KETRIN TOPÇIU – ANËTAR:      Znj. Ketrin Topçiu është eksperte ligjore dhe ka një ekperiencë disa vjecare në administratë publike si dhe pranë projekteve të ndryshme ndërkombëtare që asistojnë reformat ligjore, draftimin dhe  implementimin e legjislacionit në përputhje me  “acquis communautaire”.

Ajo është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranes në vitin 1991, për të vijuar më pas me studimet pasuniversitare duke u diplomuar me titullin Master në studime evropiane. Prej shumë vitesh është Lektore për të drejtën dhe procedurat administrative dhe doktorante për studime krahasimore mbi perafrimin e legjislacionit shqiptar me EU-Law.

Para marrjes së detyrës si Anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP, Znj. Topciu ka ushtruar disa funksione në institucione të tjera si : Insig, Komisioni i mbikqyrjes së Sigurimeve, Ministria e Drejtësisë etj dhe prej vitit 2006 është angazhuar si eksperte ligjore për organizata të ndryshme ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në kuadrin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë Europian.

 

XHOANA LILAJ – ANËTAR:     Znj. Xhoana Lilaj ka lindur në 1984 dhe është diplomuar në vitin 2009 pranë Universitetit të Studimeve të Barit, dega Jurisprudencë. Ajo gëzon titullin “Avokat” në Republikën e Shqipërisë.

Znj. Lilaj ka patur një eksperiencë të gjerë në Administratën Publike, duke ushtruar funksionin e juristit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Ne vitin 2014 – 2016 Znj. Lilaj ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përafrimit të Acquis së BEsë, në Ministrinë e Integrimit Europian, duke kontribuar dhe asistuar reformat ligjore, draftimin dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Znj. Lila është eksperte trajnuese me përvojë në institucionet jo fitimprurese. Gjithashtu, ka ushtruar fuksionin e Konsulentes së Jashtme Ligjore pranë operatorit Albtelecom Sh.a, si dhe ka eksperiencë akademike si lektore në të drejtën e procedurës civile.

Nga data 13.03.2019 Znj. Lilaj është përzgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP.