Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP-it, z. Tomi Frashëri raportoi përpara Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, mbi raportin vjetor të institucionit për vitin 2019

Ditën e enjte, më 11 qershor 2020, Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike (AKEP), Z. Tomi Frashëri raportoi përpara Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, mbi raportin vjetor të institucionit për vitin 2019.

Në fjalën e Tij, Z. Frashëri paraqiti një pasqyrë të qartë dhe të plotë të veprimtarisë së institucionit për vitin 2019 si edhe informoi Komisionin mbi angazhimin maksimal të AKEP lidhur me prioritetet strategjike sikurse janë krijimi i kushteve të favorshme për investime të qëndrueshme, nxitje e konkurrencës së ndershme dhe të lirë në treg, promovim i të drejtave të pajtimtarëve dhe përdoruesve të komunikimeve dhe shërbimeve elektronike, përforcimi i efiçencës në mirëfunksionimin e brendshëm të institucionit dhe i partneritetit ndërinstitucional, brenda dhe jashtë vendit etj.

Komisioni u njoh gjithashtu me nevojën mjaft urgjente të rishikimit dhe përditësimit të dispozitivit ligjor dhe material që siguron dhe garanton të tashmen dhe të ardhmen e komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, ku i një rëndësie të veçantë paraqitet edhe implementimi i Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike.