Fjala e Kryetarit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisëe

Zoti Kryetar i Kuvendit,

 Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,

 Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Në cilësinë e Kryetarit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, kam nderin dhe përgjegjësinë të parashtroj në këtë seancë, raportin e veprimtarisë së këtij institucioni të pavarur për vitin 2019.

Dëshiroj të falenderoj, së pari, Kryetarin e Kuvendit, për interesimin dhe angazhimin e tij të posaçëm në njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve të pavarura.

Mbikqyrja dhe koordinimi i ushtruar nga lidershipi i Kuvendit është për AKEP një motiv inkurajimi për një efiçencë më të madhe në kuadrin e zbatimit të detyrave ligjore dhe një llogaridhënie sa më cilësore dhe shteruese në kuadër të përgjegjshmërisë institucionale.

Së dyti, më lejoni të risjell në vëmendjen tuaj se ndërkohë që mbulon një sektor mjaft kompleks të ndërveprimeve socio-ekonomike dhe teknologjike, atë të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare, misioni thelbësor i AKEP mund të lakohet në mënyrë koncize rreth dy poleve kryesore dhe një fokusi qendror:

Dy polet kryesore kanë të bëjnë, së pari me tregjet e telefonisë, broadband dhe ato postare, të cilët, nën mbikqyrjen e AKEP, duhet të jenë jo në simetri dogmatike, por në harmoni zhvillimore të qendrueshme me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme;

Së dyti, këto dy pole kanë të bëjnë, duke qenë në osmozë me njëri-tjetrin, me inkurajimin, promovimin dhe koordinimin nga AKEP, të politikave sektoriale kombëtare në fushën e investimeve teknologjike dhe ekonomike për një mbulim sa më të plotë, koheziv dhe cilësor të territorit dhe komuniteteve, me rrjete dhe shërbime të gjeneratave të reja duke përforcuar kështu edhe shërbimin universal.

Për sa i përket fokusit qendror të AKEP, ai është dhe do të vazhdojë të mbetet qytetari, në dy dimensionet e tij në raport me tregjet, teknologjitë dhe rregullimet përkatëse; si pajtimtar dhe si përdorues/përfitues fundor i shërbimeve.

Ndonëse, për nga vet tipologjia e tij, AKEP nuk i dedikohet në mënyrë të drejpërdrejtë mbrojtjes së konsumatorit në marrëdhëniet e tij private me sipërmarrësit, çdo komponent i misionit të tij e orienton drejt promovimit dhe garantimit të të drejtave themelore të përdoruesit, nisur nga parimet e sigurimit të aksesit në rrjete dhe shërbime, të objektivitetit dhe paanshmërisë në përzgjedhjen e ofruesve të shërbimeve elektronike dhe postare dhe të proporcionalitetit të trajtimit nga cilido sipërmarrës, me vëmendjen e posaçme ndaj shtresave në nevojë apo qytetarëve me aftësi të kufizuara.

Askush nuk mund të pretendojë ndershmërisht, tek përballet me institucionin më të lartë përfaqësues në Republikën e Shqipërisë, se puna institucionale dhe administrative e një institucioni është pa mangësi e pa të meta.

Të tillë pretendim nuk mund ta formulojë as AKEP për vitin 2019, sidomos nëse i referohem dy rekomandimeve të parealizuara ende të rezolutës së Kuvendit të vitit të kaluar.

Thënë kjo, është e pamohueshme që AKEP ka punuar në mënyrë sistematike dhe gjithëpërfshirëse për të përmbushur misionin e tij specifik gjatë gjithë vitit 2019.

Megjithë mungesën e një fizionomie të qartë të tregjeve të komunikimeve elektronike, e cila pjekurinë e saj nga pikëpamja e konkurrencës efiçente, nuk e ka përftuar ende, AKEP ka ndikuar, nëpërmjet vendimmarrjes së tij dhe koordinimit me operatorët dhe Autoritetin e Konkurrencës, në stabilitet dhe në ekuilibër në raport me tarifat e shumicës dhe pakicës, duke pasur parasysh mesataret rajonale dhe europiane dhe pa nënvlerësuar ofertat e tregut, gjithmonë e më shumë të orientuara drejt gamave më të larmishme dhe produkteve më pranë pritshmërive të klientelës.

Për sa i përket investimeve të operatorëve në fushën e komunikimeve elektronike, gjatë vitit 2019, trendi ka qenë mjaftueshëm në rritje, duke kapur shifrën 7.68 miliard lekë, nga rreth 4 miliardë që ishte në vitin pararendës. Në përmirësimin dhe diversifikimin e gamës së investimeve vitin e kaluar, ka luajtur rolin e vet edhe blerja apo rinovimi i liçencave të përdorimit nga të tre operatorët, i brezave të frekuencave 800MhZ dhe 900-1800MhZ.

Rritja e volumit të investimeve ka luajtur rol në rritjen e efiçencës së shërbimit universal, duke vijuar me mbulimin e të gjithë territorit dhe popullsisë me rrjete, nëpërmjet ndërtimit të stacioneve te reja dhe përforcimit të sinjalit në zonat e paracaktuara nga AKEP.

Zhvillimi i kapaciteteve për akses, furnizim dhe përdorim të rrjeteve celular dhe broadband sjell si pasojë edhe larmi ofertash dhe tarifa në ulje. Sipas raporteve periodike vjetore të Unionit ndërkombëtar të telekomunikacioneve, Shqipëria renditet në pozicione të pëlqyeshme për sa i përket përballueshmërisë së tarifave të shërbimit të aksesit broadband fiks dhe shërbimeve celulare, sidomos për aksesin broadband nga rrjete celulare.

Një përpjekje të qenësishme për investime me efekte të menjëhershme në shërbimin publik postar, po e bën edhe Posta shqiptare sh.a, prej gjysmës së dytë të vitit 2019.

Kjo vjen si rezultat i rekomandimeve përkatëse të Kuvendit, por edhe i monitorimit dhe inspektimeve të vazhdueshme të AKEP si rregullator i sektorit dhe garant i zbatimit të urdhrit të Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës të dhjetorit 2019 lidhur me përmbushjen e kritereve për shpërndarjen territoriale të pikave të shërbimit publik postar.

Arritje e rëndësishme ku kryqëzohen rregullimi i sektorit dhe ndërlidhja rajonale në kuadrin e procesit të Berlinit është edhe zbatimi, nga AKEP, i marrëveshjes së gjashtë ekonomive të Ballkanit perendimor për reduktimin e çmimeve të shërbimeve roaming në rrjetet publike të komunikimit celular në rajonin e Ballkanit perendimor, nënshkruar më 4 prill 2019.

Masat rregullatore të vendosura nga AKEP, pas vendimmarrjeve përkatëse, sikundër dhe rregullimi dhe ulja e tarifave me shumicë dhe pakicë të operatorëve që ofrojnë rrjete dhe shërbime në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, jo vetëm që i kanë dhënë një realitet dixhital të rëndësishëm ndërlidhjes mbarëkombëtare dhe asaj rajonale, por kanë kontribuar në rritjen e transparencës së tarifave dhe do të vijojnë të ndikojnë si duhet në përmirësimin e informacionit dhe shërbimeve ndaj përdoruesve të shërbimeve roaming.

Në të gjithë veprimtarinë e tij gjatë vitit 2019, AKEP i ka kushtuar në mënyrë të veçantë vëmendje ankesave të qytetarëve dhe monitorim-inspektimit të ligjshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara ndaj konsumatorit.

Raporti vjetor jep një panoramë të hollësishme për veprimtarinë e AKEP në këto dy aspekte, në fakt jo pak të ndërlidhur me njëri-tjetrin.

Mirëmenaxhimi i spektrit të frekuencave, shmangia e interferencave, kontrolli i cilësisë së shërbimit, regjistrimi i parametrave të rrezatimeve elektro-manjetike, lufta kundër informalitetit dhe piraterisë në shfrytëzimin e burimeve fundore, kanë impakt të menjëhershëm në përditshmërinë e qytetarëve, por edhe të bizneseve dhe janë pasqyrë e mirëfunksionimit të institucionit dhe të besueshmërisë së Shtetit shqiptar. Për këtë arsye, këto aspekte kanë qenë në fokus të AKEP gjatë 2019 dhe do të vijojnë të mbeten edhe për vitin 2020.

Ndonëse viti 2020 është tashmë i shenjuar nga kriza që pruri pandemia e përbotshme dhe situata e fatkeqësisë natyrore në vendin tonë, AKEP do t’i përmbahet prioriteteve të tij strategjike, siç janë të listuara në faqen 107 të raportit, për një hov cilësor krahasimisht me vitin pararendës.

I tillë hov cilësor, edhe më i domosdoshëm në kuadrin e çeljes së negociatave me BE, nuk mund të shndërrojë në mënyrë të qendrueshme institucionin, pa vullnetin dhe bashkërendimin e njëtrajtshëm mes Qeverisë dhe Kuvendit, përderisa ai do të përkthehet detyrimisht me ndryshime thelbësore në ligjin e vitit 2008 për komunikimet elektronike.

Këto ndryshime, të parat për nga përmasat që prej hyrjes së tij në fuqi 12 vjet më parë, do t’i mundësojnë AKEP një ripërtëritje të konsiderueshme strukturore duke e përgatitur kështu të përballet, në 5 vitet në vijim, me dy sfida pothuajse ekzistenciale të sektorit: implementimin gradual dhe efikas të Kodit europian të komunikimeve elektronike dhe përafrimin teknologjiko-inovativ me vendet e zhvilluara nëpërmjet integrimit, sigurisë dhe përputhjes me standartet demokratike të shtetit ligjor, për sa i përket sistemeve, rrjeteve dhe shërbimeve të gjeneratës së re.

 

Ju faleminderit.

 

 

Leave a reply