TREGU  POSTAR

Kuvendi i Shqipërisë më datë 7.05.2015 miratoi Ligjin Nr. 46/2015,“Për shërbimet Postare në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj zëvendësoi Ligjin nr. 8530, datë 23.9.1999, “Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ligji i ri paraqet një ndryshim të madh sa i përket liberalizimit të tregut të shërbimeve postare, Ligji 46/2015 është hartuar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor të BE për sektorin postar (Direktiva Postare 2008/6/EC), duke mundësuar në këtë mënyrë përshtatjen graduale të tregut me zhvillimet dhe dinamikën e ndryshimeve në fushën e teknollogjisë së informacionit.

Shërbimet postare përfshin pranimin, përpunimin, transportimin dhe shpërndarjen e dërgesave postare në rrjetin postar kombëtar dhe ndërkombëtar/ndërkufitar. Tregu postar është i përbërë nga ofruesit e shërbimeve postare të listuar në Rregjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Postare.

AKEP në ushtrim të kompetencave ligore  të përcaktuara nga neni 9 i Ligjit 46/2015, si organi rregullator kombëtar përgjegjës për rregullimin dhe mbikqyrjen e shërbimit postar, ka hartuar dhe miratuar aktet nënligjore përkatëse në zbatim të Ligjit 46/2015, duke krijuar paketën rregullatore të përshtatshme për garantimin e cilësisë së shërbimit universal postar, përmbushjen e kritereve për ofrimin e shërbimit universal të parashikuara në Ligjin 46/2015, llogaritjen e kostove neto të shërbimit universal postar, përcaktimin efektiv të proçedurave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet përdoruesve dhe ofruesve të shërbimit postar dhe mosmarrëveshjet midis ofruesve, si dhe përcaktimin e hollësishëm të formës, përmbajtjes dhe dokumentacionit plotësues të kërkesës/njoftimit për të ofruar shërbimet postare nën regjimin e autorizimit të përgjithshëm.

Regjimi i ri i autorizimeve:

Hyrja në fuqi e Ligjit 46/2015, solli ndryshimin sa i përket kushteve dhe kërkesave thelbësore që duhen të plotësojnë ofruesit e shërbimeve postare me qëllim ofrimin e shërbimeve postare.

Sipas dispozitave të Ligjit 46/2015, ofruesi/ofruesit e Shërbimit Universal postar pajisen me Autorizim Individual ndërsa ofruesit e shërbimeve postare, që nuk bëjnë pjesë në shërbimin universal, ofrojnë shërbimet sipas sistemit të autorizimit të përgjithshëm.

AKEP ka dhënë Autorizimin Individual si ofruesi i vetëm i Shërbimit Universal Postar, me afat pesë vjeçar, Postës Shqiptare sh.a, si dhe janë ndjekur proçedurat ligjore për kalimin e Ofruesve të tjerë të shërbimeve postare të pajisur nga AKEP me “Liçencë të Përgjithshme për ofrimin e shërbimeve postare”, nën regjimin e ri të Autorizimit të Përgjithshëm. Ofruesit e shërbimeve postare të cilët duan të ofrojnë shërbime postare nën regjimin e Autorizimit të Përgjithshëm,  mund të ndjekin proçedurat përkatëse duke aplikuar tashmë online në faqen zyrtare të AKEP, duke u paisur në përfundim të proçedurave me Çertifikatën e Konfirmimit të Njoftimit.

Për më shumë informacion mbi proçedurat që duhet të ndiqen për t’u paisur me Çertifikatën e Konfirmimit të Njoftimit, klikoni këtu

Leave a reply